21/12/2015

MOS TË NËPËRKËMBIM GJUHËN TONË. TA SHKRUAJM DREJT ATË !



Alma S. Zyberi

Duke u nisur nga fakti se sot secili prej nesh po kemi çasje në rrjetet sociale, atëherë po më duket e arsyeshme që ta them mendimin tim rreth një çështjeje që mua personalisht më brengos shumë e ajo është çështja e drejtshkrimit të gjuhës sonë. Përderisa të gjithë kemi kompjuterë dhe telefona të mençur dhe i përdorim ato ndoshta edhe më shumë se do të duhej t’i përdornim, atëherë a nuk e ndiejmë nevojën që të mësohemi të shkruajmë drejt? Çfarë na kushton nëse shkruajmë me kujdes? – Kohë? Mendoj që kohë kemi mjaft. Përderisa kemi çasje në këto rrjete sociale atëherë nuk kemi ndonjë gjë me urgjencë për të bërë. Nëse ne vendosim ta bëjmë një koment, një përshkrim, një përshëndetje, një shprehje të mendimit, një revoltë rreth një situate të caktuar, pse të mos e bëjmë me përkushtim dhe me kujdes të shtuar duke iu ofruar edhe atyre që i lexojnë ato të ndiehen mirë dhe ta kuptojnë drejt atë se çfarë është shkruar? 

E mora guximin ta bëjë këtë shkrim meqenëse mbart mbi vete një barrë që ia kam ngarkuar vetes duke e zgjedhur profesionin e një mësimdhënëse të gjuhës shqipe. Më iriton pamasë pakujdesia e të shkruarit që e bëjnë shumica, por ajo që më çmend më shumë padyshim që është kur këtë pakujdesi e tregojnë personat që kanë një titull dhe kanë bërë studime me vite të tëra, e sidomos nga ata persona që kanë studiuar pikërisht gjuhën shqipe. Këta persona që bëjnë shkelje barbare ndaj shkrimit të gjuhës shqipe për mua bëjnë një krim të pafalshëm. A mendojnë këta se janë pasqyrë për të tjerët? Dhe nëse mendojnë, atëherë a është kjo ambicia e tyre që të njihen si persona që nuk dinë të shkruajnë drejt dhe pastër gjuhën amtare? Nuk po e bëj këtë shkrim që të filozofojë e as të shes mend, por e bëj ngase e ndiej si obligim dhe e marr si detyrë që të kontribuoj në aspektin gjuhësor, sidomos në fushën e drejtshkrimit . Edhe unë mund të gabojë ndonjëherë pavetëdie, por kurrë nuk ndihem e ofenduar nëse dikush arrinë të më korrigjoi, përkundrazi i jam mirënjohëse për atë gjë. Prandaj asnjëri nga ju mos u ndieni të ofenduar nga ky shkrim, por merreni si një këshillë dashamirëse dhe si një domosdoshmëri për ta përmirësuar dhe dëshmuar aftësinë tuaj në të shkruarit e drejtë të gjuhës amtare.